“Një hap drejt Evropës”, Shqipëria hap grupkapitullin 3, Rama: Ecim pa ndalim

Nga Anesti Barjamemaj
23 Maj 2025, 11:21 | Politikë

“Një hap më pranë Evropës”. Me këto fjalë Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka uruar Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të tretë të negociatave.

Reagimi i Kos vjen pas konferencës së pestë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku vendi ynë hapi edhe grupkapitullin 3, ku tashmë do të negociojë edhe për transformimin dixhital dhe median, tatimet, politikat ekonomike dhe monetare, e deri te shkenca dhe bashkimi doganor, shkruan A2.

Komisionerja për Zgjerimin e konsideron me rëndësi këtë grupkapitull, duke shkruar se tashmë Shqipëria do të ketë një ekonomi më të fortë në dobi të shqiptarëve: “Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. Zgjerimi në BE ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”.

Vendimi i marrë në Bruksel u përshëndet edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili në mediat sociale shkroi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të vijojë pa ndalim: “Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin. Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”.

Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e quan një gurthemel të ri dhe shton se hapja e 8 kapitujve reflekton progresin që ka bërë Shqipëria.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos