“Krimi futi në parlament 28 deputetë”, Berisha: Ndërkombëtarët i shpallën të vdekura zgjedhjet 10 ditë para zhvillimit

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 12:41 | Politikë

“Krimi futi në parlament 28 deputetë”, Berisha:

“Komuniteti ndërkombëtar i shpalli të vdekura zgjedhjet 10 ditë përpara se të zhvilloheshin”. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha, në konferencën e përditshme për shtyp, duke i cilësuar si një farsë elektorale. Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar dhe manipulim të procesit zgjedhor.

“Komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë i dënoi me dënim kapital me datën 30 prill 2025, zgjedhjet që do zhvilloheshin 10 ditë më vonë në Shqipëri. Cilido që lexon rezolutën e Valencias, të censuruar në mënyrën më totale, pothuaj, nga mediat e qeverisë për shqiptarët, konstaton se ajo rezolutë i thotë opinionit publik ndërkombëtar dhe shqiptarëve se në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje por farsë elektorale. Kjo është e vërteta absolute”.

Berisha deklaroi se rezolutat ndërkombëtare flasin qartë për blerje votash me para dhe kanabis, përfshirë dhënien e pensioneve dhe licencave, dhe se prokuroria dhe politika mbështesin këtë sistem kriminal.

“Komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk udhëhiqet nga paragjykimi. Ose thotë, kur nuk ka siguri, thotë ka dyshime. Por këtu nuk thotë se ka dyshime, ka deklaruar se Edi Rama po blen vota me lekë. Se ka parë vendimin për dhënien e 100 eurove për pensionistët. Ka deklaruar se po blen vota me kanabis sepse ka parë vendimin e dhënies së 138 licencave. Nuk ka deklaruar se do falë gjoba, se ky vendim ishte i dy ditëve të fundit. Pra, kemi të bëjmë një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor dhe zhvillimin e paralajmëruar të një farse të plotë zgjedhore siç zhvillohet në të gjitha regjimet narkodiktatoriale”, theksoi Berisha, përcjell A2 CNN.

Duke folur me emra, Berisha tha se në parlament kanë hyrë 28 deputetë të lidhur me botën e krimit, vetëm katër prej të cilëve kanë marrë mbi 80 mijë vota.

“Vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara. Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur. Avokatëve të farsës elektorale të narkoqeverisë u them se duke mbrojtur farsën, kryeni një krim të shëmtuar kundër lirive më themelore të qytetarëve shqiptarë. Dhe dëshmoheni më mercenarë se çdo lloj mercenari tjetër. Shtroj edhe njëherë pyetjen, të kujt janë 80 mijë vota të deputetëve të partisë së krimit? Të kujt janë? Një lidhje e plotë dhe totale me pushtetin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos