Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi një konference kombëtare së bashku me Sindikatat e Bashkuara. Ai premtoi mbështetje për pensionistët dhe grupet në nevojë të shoqërisë. Berisha premtoi uljen e taksave për bizneset në 10% dhe do të krijojë mundësi për rritjen e prodhimit vendas, duke mbështetur “Made in Albania”. Përsa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lideri demokrat, premtoi që Shqipëria nuk do të ketë më tarifa për mallrat amerikane dhe tha se beson se edhe SHBA do të heqë tarifat për Shqipërinë, duke krijuar një partneritet të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë.
“Ne do bëjmë gjithçka që Made in Albania të mbushë tregjet shqiptare dhe tregjet e botës. SHBA kanë vendosur një sistem tarifash sepse të gjithë kanë pasur tarifa ndaj tyre. Kjo është e vërteta. Ta mësoni të vërtetën. Të gjithë këta që qahen sot, kanë pasur tarifa. Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane dhe jam i bindur se kjo gjë do ndodhë edhe me qeverinë e SHBA pasi t’i heqim ne. Edhe njëherë, u garantoj për një partneritet luajal dhe zëri juaj, avokat i fuqishëm i njerëzve të punës, do jetë një zë që do dëgjohet nga qeveria. Dhe nuk do mburret si ai që del nëpër botë dhe thotë ne nuk kemi sindikata. Nuk ka sindikata se nuk pyet për to ai. Kurse ne do u dëgjojmë ju, do bashkëpunojmë me ju, do marrim parasysh interesat tuaja dhe do shndërrojmë Shqipërinë në Shqipëri Madhështore, në Shqipërinë e ëndrrave të fëmijëve tanë”.
Kreu demokrat kërkoi nga sindikata që të qëndrojë në krye të përpjekjeve për të luftuar regjimin dhe për t’i dhënë fund persekutimeve politike dhe abuzimeve me pasuritë e shqiptarëve.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i PD, Sali Berisha, ka firmosur gjithashtu një kontratë me Sindikatat e Bshkuara të Pavarura të Shqipërisë, duke premtuar angazhimin për realizimin e premtimeve për pensionistët dhe punëtorët. Lideri i Opozitës tha se kontrata do të zbatohet në mënyrë të plotë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së Partisë Demokratike, duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe amendimet ligjore për statusin e pensionistëve dhe punëtorëve. Berisha premtoi se do të rrisë pensionet me 20% dhe do t’i indeksojë ato dyfishin e inflacionit, ndërsa do të vendosë një minimum jetik prej 200 eurosh për pensionistët dhe ata në ndihmë ekonomike.
(A2 Televizion)