Pas kthimit nga SHBA, kryetari i PD-së u shfaq për mediet në Tiranë më i qetë dhe më entuziast. Në konferencën e mbajtur në selinë u shoqërua edhe me një pjesë të delegacionit me të cilët kaloi oqeanin.
“Në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg dhe po të doni thoni edhe vite drite larg udhëtimit tim të parë, i kishte 3 ngjashmëri me të”.
Në një javë qëndrimi në SHBA, lideri demokrat tha se zhvilloi një sërë takimesh ku pohoi se në qendër të tyre ishte denoncimi i qeverisë së Edi Ramës. Madje nënvizoi se denoncimet nuk ranë si rrufe në qiell të hapur te zyrtarët e administratës së Trump.
“Në epiqendër të të gjitha bisedimeve tona në takime të veçanta me kongresmenë, me senatorë, me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump kanë qenë së pari narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij mbi ekonominë, qenien, rendin kushtetues, shtetin ligjor në Shqipëri”.
Fjalimin e Trump në Konventën Republikane Berisha e ndoqi nga lozhat e stadiumit dhe për të prania aty ishte e papërshkrueshme me fjalë.
“Nuk mund të përshkruhet madhështia, fantazia e konferencës elektorale të Donald Trump, i cili në dy ditë, në ditën e parë me dy orë pa ndërprerje, në ditën e dytë me 35 minuta, e elektrizoi një sallë të madhe, një stadium, që ishte i zjarrtë”.
Pas vizitës së liderit demokrat në SHBA pritet të vijë dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, ndaj ftesa për të për të shkelur në selinë blu nuk mungoi.
“Ambasadori është i mirëseardhur në çdo kohë në selinë e Partisë Demokratike. Por agjendën e tij e bën vetë ai. Ne jemi të hapur dhe e mirëpresim”. (A2 Televizion)