
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, u është drejtuar me një videomesazh të gjithë nxënësve në arsimin parauniversitar, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.
Kumbaro thekson se në sezonin e ri është përmirësuar infrastruktura, janë rritur masat e sigurisë dhe janë zgjeruar aktivitetet pas shkolle.
“Suksese të dashur nxënës të gjithë arsimit parauniversitar nga parashkollori deri në maturë. Ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni siç është festivali i shkencës, siç janë olimpiadat, siç është konkursi i gjuhës, apo konkursi i zërave të bardhë nëpër kore. Dhe mos u mërzisni nëse mësuesja ju kërkon të fusni celularin në kuti para se të futeni në mësim. Mos e quani një urdhër - ndalim. Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim. Suksesi dhe profesioni që do të keni nesër varet nga sa do të mësoni SOT! - veçanërisht ju maturantë të dashur që keni një vit plot sfida përpara dhe vetëm të mësuarit do të mund t'ju nxjerrë faqebardhë! Paçi një vit plot arritje në mësime dhe plot kreativitet gjatë programit pas shkolle, 408 shkolla do të jenë në këtë program për të krijuar edhe aktivitete të tjera, ku nxënësit mund të rrinë edhe pak më gjatë në shkollë, jo vetëm për të mësuar por edhe për t'u zbavitur. Suksese!”, thuhet në mesazhin e Kumbaros. (A2 Televizion)