“S’e ka parë historia që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari!”, Rama reagon për pagat e magjistratëve

Nga A2 CNN
14 Shtator 2026, 13:16 | Politikë

“S’e ka parë historia që gjykatësit të

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve dhe kërkesën për marrjen e pagave të rritura drejtpërdrejt nga thesari i shtetit. Ndërsa ka ndarë një deklaratë të gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili shprehet se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”, Rama thekson se një gjykatës nuk mund të flasë kështu.

Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu! Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo ‘i kemi mbledhur vetë’ është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit”, shkruan Rama.

Kryeministri e ka krahasuar këtë situatë me rastin hipotetik kur edhe doganierët, tatimorët, policët apo inspektorët do të kërkonin paratë që kanë mbledhur përmes taksave dhe gjobave.

Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?”, vijon ai.

Rama ka kundërshtuar gjithashtu nivelin e rritjes së kërkuar të pagave, duke argumentuar se nëse kjo do të pranohej pa ndryshimin përkatës ligjor, një gjyqtar fillestar do të paguhej 3.8 herë më shumë se një mësues, mjek apo ushtarak, ose 280% më shumë.

Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë”, përfundon Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos