Berisha në biznesin fason: Do u kompensojmë për çdo humbje nga rënia e euros dhe do ulim çmimin e energjisë në 6 lekë

Nga A2 CNN
28 Prill 2025, 13:50 | Politikë

Berisha në biznesin fason: Do u kompensojmë për çdo humbje

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se nëse PD fiton në 11 maj, qeveria e re do të konpensojë biznesin fason për çdo humbje nga rënia e euros.

Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi në një biznes fasonerie pranë autostradës Tiranë-Durrës, ku prezantoi edhe programin për ‘Shqipërinë Madhështore’, shkruan A2 CNN.

Berisha premtoi gjithashtu se pas 11 majit, qeveria e PD do të ulë çmimin e energjisë elektrike nga 18 lekë në 6 lekë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Vetëm përgëzime dhe siguri se ne do bëjmë një revolucion fiskal.

Do të transformojmë klimën për biznesin.

Kësaj here ne kemi edhe një eksperiencë, dhe me shpejtësi do të vendosim standardet më optimale, më miqësore për biznesin.

Për të gjithë eksportet, ne garantojmë së pari një bord që do kompensojë qindarkë për qindarkë rënien e euros, që është një faktor që dëmton shumë çdo sipërmarrës që prodhon për eksportin.

E dyta, ne do ulim çmimin e energjisë nga 18 do të jetë 6 lekë. Do ta kemi më të ulëtin dhe kjo përbën një leverdi të mirë për biznesin.

Rënia e euros është një problem shumë i madh.

U boshatis vendi. Para një jave unë isha në Qafë të Malit, një investim me të vërtetë shumë impresionues në ujin Lajthiza, një investim dhjetëra milionë euro.

Punëtorë nga Azia, kishte edhe vendas, por punëtorë nga Azia.

Para dy ditësh isha në Borsh. Në Borsh nga Mianmari gjeta aty.

Ky ndoqi këtë politikë, të ikin se do marrim punëtorë nga jashtë.

Mirëpo kjo na zbrazi ne, e zbrazi në mënyrë të pamëshirë dhe i ka dhënë vendit disa tregues që nuk i ka më askush.

Javën e kaluar, sipas OKB, ne ishim vendi me lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.

Çka do të thotë se një përpjekje shumë të madhe duhet të bëjmë për ta sjellë kombin në moshën e rinisë, se faktikisht e ka humbur atë moshë.

Kanë ikur mbi 600 e ca mijë të rinj në 10 vite.

Krahu i punës dhe tregu i punës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne, edhe në këtë aspekt do kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me sipërmarrjen në mënyrë që të ketë një trajnim të vazhdueshëm.

Shteti do të krijojë të gjithë lehtësirat fiskale dhe të tjera për këtë proces.

Do bëjmë një politikë demografike me të cilën synojmë të nxisim në maksimum lindjen e fëmijës së tretë, duke e marrë përsipër nga lindja gjer 23 vjeç.

Do bëjmë gjithçka për të kthyer ata që kanë ikur, siç jeni kthyer ju, një histori e vërtetë suksesi dhe sot mbijetoni në kushte të vështira.

Në kushte të vështira sepse rënia me 35 përqind i kursit të euros dhe injorimi total i kësaj rënie, sepse qeveria ka mundësi t’u kompensojë sepse ju paguani rrogat, ju keni arritur ta mbani, por të tjerët kanë falimentuar. Me mijëra punëtorë kanë humbur vendet e punës.

Kjo sepse bëhet marrëveshje mes trafikantëve dhe betonit. Mes trafikantëve dhe qeverisë. Kjo është e vërteta.

Tre vite me radhë që prodhimi industrial bie në mënyrë të vazhdueshme.

Nga viti 2023 deri në vitin 2024, eksportet, që janë prodhim dhe punësim, kanë rënë me 32 përqind.

Pra është krijuar një rreth vicioz.

Por ne do e presim këtë rreth vicioz.

Prapë do i rikthehemi biznesit. Ne duhet të krijojmë klimën më miqësore.

Për ne, motoja do jetë prodhim, prodhim, prodhim.

Prodhimi është punësim, prodhimi është të ardhura, prodhimi është zhvillim dhe ne do bëjmë gjithçka për prodhimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos