Dorëzimi në Kuvend nga PS-ja i projektit për shkrirjen e 15 bashkive ka vënë në lëvizje Partinë Demokratike.
Përmes kësaj shkrese, të firmosur nga Klevis Balliu, si sekretar Organizativ, dhe Ylli Asllani për pushtetin vendor, të gjitha degëve u kërkohet të mblidhen me urgjencë për të kundërshtuar projektin. Madje, sipas dokumentit, synimi duhet të jetë diskutimi me qytetarët.
Paralelisht me angazhimin në rrethe, selia blu deklaron se do të nisë edhe betejën mediatike.
Aleancat fluide me këshilltarë të partive të tjera do të jenë të mirëpritura, sipas shkresës.
“Në këtë ballafaqim, këshilltarët tanë bashkiakë do të kërkojnë mirëkuptim dhe aleancë me çdo këshilltar tjetër të përgjegjshëm që kundërshton shkrirjen e bashkive. Ata do t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe vetëdijes së çdo këshilltari bashkiak që të përfaqësojë interesat e bashkësisë së qytetarëve që e kanë votuar dhe jo paranojës që po u shkatërron vendlindjet!”
Dokumenti me 8 pika e cilëson reformën territoriale, sipas PD-së, si përçarje kombëtare. Megjithatë, duket se rikthimi te protestat si organizim i selisë blu nuk është një opsion, pasi aksionet do të shtrihen në rrethe.
“Degët e PD-së do t’u bëjnë thirrje të gjithë anëtarëve të organizojnë dhe mbështesin çdo protestë qytetare.”
Për reformën territoriale, në Kuvend u krijua komisioni i posaçëm PS-PD. Në përfundim, forcat politike nuk gjetën dakordësi, duke mos dalë me një propozim konkret.
Megjithatë, e majta nuk u tërhoq. Përmes projektligjit të mbështetur nga 10 firma, u kërkua reduktimi i numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. (A2 Televizion)