Partia Socialiste nuk tërhiqet nga propozimi i reformës territoriale, pavarësisht protestave nga kryebashkiakët dhe qytetarët, të cilët preken nga ndarja e re territoriale.
Në një intervistë për A2CNN, nismëtari i mazhorancës, Arbjan Mazniku, i cilëson kundërshtitë në terren jo si një debat që lindi nga mungesa e transparencës, por si lëvizje për interesa të ngushta personale të disa zyrtarëve që nuk duan të heqin dorë nga karrigia.
Të njëjtën përgjigje ai e ka edhe për kolegun e tij në grupin parlamentar socialist, deputetin e Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili kërkon që Selenica të mbetet bashki më vete.
Vendi ku duhet të shpalosen mendimet e ndryshme për projektin socialist duhet të bëhen në Komisionin e Ligjeve me nisjen e shtatorit.
Socialistët nuk e pranojnë sfidën e demokratëve që t'i çojnë dy hartat në referendum. Mazniku e fton Boçin që betejën ta kryejnë në të njëjtën rrugë, Parlament.
Ndërsa opozita ka shpresa që ndërkombëtarët do të frenojnë hartën e socialistëve, Mazniku ju shuan edhe këtë dilemë.
Dhe si vend sovran, vendimin e fundit socialistët ia lënë Parlamentit, institucion ku ata e kanë shumicën e cilësuar, me votat e nevojshme për ta kaluar reformën edhe pa dakordësinë e PD. (A2 Televizion)