Partia Demokratike akuzon Gjykatën Kushtetuese për shkelje të ligjit dhe zvarritje të pajustifikuar të një prej çështjeve që, sipas saj, ka rëndësi të veçantë kushtetuese.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ne nje postim ne facebook, kujton se opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në shtator të vitit 2025, duke kundërshtuar emërimin e ministres virtuale “Diella”, ndërsa sot, gati një vit më vonë, ende nuk ka një vendim përfundimtar.
Sipas Bardhit, edhe pse shqyrtimi gjyqësor u mbyll më 26 maj 2026, Gjykata nuk ka respektuar afatin ligjor prej 30 ditësh për shpalljen e vendimit të arsyetuar, duke kaluar tashmë më shumë se 70 ditë.
Për opozitën, kjo vonesë cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia kushtetuese dhe ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucionit që ka për detyrë të garantojë respektimin e Kushtetutës. (A2 Televizion)