Sali Berisha dënoi shpalljen non grata nga Tirana zyrtare të dy shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Për njërin prej tyre, Valon Bela, thotë se është gazetar dhe ish-luftëtar i UÇK-së. Shton se ai ka shprehur hapur qëndrimet kundër Kryeministrit Rama.
“Ka denoncuar Edi Ramën si argat të Vuçiçit[...] Dhe Edi Rama e bllokon. I bllokon hyrjen, e shpall non grata njëlloj si Aleksandër Vuçiç e ka shpallur për Serbinë. Edi Rama zbaton në këtë mënyrë një urdhër të turpshëm të padronit të tij”.
Kryedemokrati dënoi gjithashtu shpalljen non grata të imamit Bekir Halimi, ndonëse u distancua publikisht nga qëndrimet e tij.
“Dënoj gjithashtu edhe ndalimin e imamit[...] Nuk pajtohem me fjalën e tij që gratë duan dajak. Jo. Po kjo nuk mund të ndëshkojë atë që të mos hyjë në Shqipëri. Mendësia e tij nuk mund të jetë kurrë shkak për të ndaluar hyrjen në një vend ku vrasjet e grave janë më të shumta se në të gjithë Evropën, të marra së bashku”.
Motivacionet zyrtare dhe informacionin e përcjellë nga shërbimet e inteligjencës, Berisha e konsideron të stisur, me regjinë e drejtueses së SHISH.
“Vlora Vuçiç, është Vlora Hyseni, e cila qendis, shpif, manipulon dhe trillon çdo gjë që i thonë padronët e tyre, ajo është një agjente e përbashkët e Vuçiçit dhe e Ramës”.
Berisha dënoi dhe heshtjen e shoqatave të gazetarëve në Shqipëri, që sipas tij i implikon, lidhur me ndalimin e hyrjes në vend të një kolegu, për shkak se shkruan kundër Kryeministrit.
(A2 Televizion)