Sali Berisha mbështeti protestat në bashkitë që socialistët propozojnë t’i shkrijnë, duke veçuar reagimin e socialistëve.
"Por dua të them se udhëheqja e PS, ish-Parti Pune, ish-parti komuniste, qëndron në pushtet vetëm e bazuar në krimin, ndaj dhe meriton plotësisht të quhet parti krimi. Përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë vape kanë zgjedhur protestën dhe po djegin dokumentin e partisë së krimit."
Duke iu referuar shifrave të Eurostat-it për periudhën 2015–2024, kreu i PD-së denoncoi atë që e cilësoi si "gjenocid të butë" dhe boshatisje të vendit, ku sipas tij mbi 1.1 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi. Ai u bëri thirrje drejtuesve lokalë të reagojnë.
"U hoqi shërbimet, komunat, u hoqi investimet, hoqi mbështetjen për bujqësinë, përgjysmoi ndihmën ekonomike. Por ftoj gjithashtu të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, që i ka zhdukur në 2014-ën, të ngrenë zërin e tyre, të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafi, dhe veten padrinon e saj."
Pavarësisht temperaturave të larta dhe asaj që e cilësoi si presion policor, kreu i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se qëndresa qytetare kundër qeverisë nuk është mposhtur. Sipas tij, çdo ditë e më shumë po faktohet se ekzekutivi aktual nuk ka më të ardhme politike.
"As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës. Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme."
Lideri i opozitës riktheu akuzat ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, duke e lidhur atë me aktivitetin e lojërave të fatit dhe bizneset e kazinove në kryeqytet.
"E vërteta është se Olsi Rama, që me rikthimin e tij në Shqipëri, u gjet i implikuar fuqishëm me Xibrakën në drogën dhe me lojërat e fatit bashkë me Geron Xhafën. Por, lukunia e tij nuk ka të ndalur. Ai erdhi me një grup, ndër të cilin edhe të famshmin Gerti Haka, dhe një Lumani, Shkëlqim Lumani, me të cilët menaxhon kazinonë e kullës Kristaq Rama."
Në përmbyllje të komunikimit të tij, Sali Berisha u ndal te marrëveshja ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se çfarë demokratët i kanë thënë palës amerikane.
"Edhe njëherë, ne nuk kemi asnjë kundërshtim me marrëveshjen, dhe unë publikisht dua t'ju informoj, se ne palës amerikane i kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm në çdo kohë, në qoftë se rikthehet ajo që u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e vendosim në Kushtetutë, deputetët e Partisë Demokratike janë të gatshëm të mblidhen dhe të votojnë marrëveshjen." (A2 Televizion)