
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje demokratëve të mbështesin protestën që prej 46 ditësh zhvillohet para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një protestë “tërësisht antidiktatoriale” kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se mbështetja për këtë kauzë është detyrim për çdo demokrat dhe se asnjë slogan apo parullë kundër PD nuk duhet të shërbejë si pengesë për përkrahjen e saj.
“Një protestë 46-ditore vazhdon në Bulevardin e Tiranës. Një protestë tërësisht antidiktatoriale. Është detyrë e çdo demokrati e çdo demokrate ta mbështesë atë me të gjithë mundësitë dhe potencialet që ka. Nuk ka bekim më të madh nga Zoti se sa të protestosh çdo ditë kundër kësaj narkodiktature”, tha Berisha.
Ai theksoi se protestuesit përfaqësojnë një forcë të rëndësishme qytetare dhe se PD duhet ta konsiderojë këtë kauzë si aleate në betejën e saj politike.
Sipas tij, edhe prania e individëve kritikë ndaj opozitës brenda protestës nuk duhet të ndryshojë qëndrimin mbështetës të demokratëve. (A2 Televizion)