Berisha: Rama ka transferuar drogë me valixhe diplomatike! Tani kërkon të sekretojë shpenzimet

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 13:09 | Politikë

Berisha: Rama ka transferuar drogë me valixhe diplomatike! Tani kërkon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Rama se ka transferuar drogë me valixhe diplomatike dhe se po përpiqet të bëjë sekret shtetëror shpenzimet e tij, shkruan A2 CNN.

“Njeriu që ka bërë 140 e sa udhëtime me avion taksi për veten e tij, dhe që akuzohet se me këtë avion ka transferuar me valixhe diplomatike qindra milionë euro të drogës dhe të trafiqeve, të bitcoin-eve dhe  të tjera. Akuzohet se ka transferuar ngarkesa droge. Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për hetimin e këtyre transfertave. Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për të verifikuar të dhënat që thonë se valixhet diplomatike të çarterit të Edi Ramës janë më numerike se të të gjithë kryeministrave evropianë të marrë së bashku në një vit. Apo të presidentëve”, tha Berisha në konferencë për mediat.

Sipas Berishës, Rama ka vendosur të sekretojë shpenzimet e tij. “Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha. Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës. Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite. Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit. Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet. Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës. Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh”, shtoi Berisha.

“Por ky shtet, në vitin 2009, në emër të transparencës, të mbrojtjes të parave të taksapaguesve shqiptarë, ka vendosur shpenzimet e thesarit online. Dhe kjo ka qenë në kuadrin e një nisme botërore të luftës kundër korrupsionit. Ky sistem i bën të mundur çdo qytetari të kontrollojë çdo qindarkë që shpenzohet nga taksat e tij të nesërmen e shpenzimit. Edi Rama vendos të sekretojë shpenzimet e tij vetëm e vetëm për të mbuluar vjedhjet e veta dhe familjare të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ky është një apel dhe një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihen kundër flamurtarit të vjedhjes në të gjithë historinë e shtetit shqiptar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos