Kushtetuesja rrëzoi Presidentin, Celibashi: KQZ s'e ka shkelur ligjin, nuk ka zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor!

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 11:17 | Politikë

Kushtetuesja rrëzoi Presidentin, Celibashi: KQZ s'e ka shkelur ligjin,

Më 9 nëntor nuk do të ketë zgjedhje në Bashkinë e Tiranës. Kështu u shpreh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi duke konfirmuar se do të respektohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese ditën e djeshme për të pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në kryeqytet.

“Është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë te tjera përjashto bashkinë e Tiranë. Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të Presidentit është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar gjykata. Dhe do të ishim në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitor të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim. KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në bashkinë e Tiranës, është çështje e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendin për shkarkimin e tij.  KQZ nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor për shkak të urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha kreu I KQZ.

Celibashi konfirmoi se procesi i përgatitjes për zgjedhje do të vijojë normalisht për pesë bashkitë e tjera të vendit, ku u krijuan vakancat pasi drejtuesit braktisën mandatin si kryebashkiak për të garuar për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

I pyetur nëse KQZ është bërë palë në shkelje të Kushtetutës, pasi po përgatitej për zgjedhjet në Tiranë ndërkohë që Veliaj ankimoi dekretin në Kushtetuese, Celibashi tha: “KQZ nuk ka patur asnjë detyrim, nuk detyrohet as nga Kushtetuta as Kodi, që të presë, sa kohë nuk ka vendimmarrje se çfarë ndodh me pretendimet që njëra palë ka kundrejt dekretit.

“Nëse ne do të diskutonim dekretin, do kishim marrë kompetencën e një organi tjetër dhe ishim në shkelje. Tani që Kushtetuesja vendosi, po respektojmë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shumë e qartë”, shtoi kreu i KQZ Celibashi.

Sakaq, i pyetur në lidhje me skenarët për zgjedhjet në Tiranë që do të pasojnë vendimin final të Gjykatës Kushtetuese, më 31 tetor, Celibashi u shpreh se kjo mbetet për t’u parë.

“Se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim apo një tjetër këtë nuk dua ta them se ndryshe do isha një komentator. Si kreu i KQZ vlen të them se Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje. Në çdo lloj versioni qoftë KQZ, qoftë Këshilli i Ministrave apo Presidenti, do të shohin nëse do të ketë vend apo jo për të ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar. Nuk preferoj të flas ç’duhet të bëhej në një situatë hipotetike", deklaroi Celibashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos