Berisha: Shqipëria nuk mund të integrohet në BE me pensione 140 euro dhe arrestime politike

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 19:08 | Politikë

Berisha: Shqipëria nuk mund të integrohet në BE me pensione 140

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian me pensione të ulëta dhe me arrestime politike. Në një fjalim para banorëve të zonës së Depos së Ujit, ai kritikoi qeverinë aktuale, duke theksuar se vendi ndodhet në një situatë të rëndë ekonomike dhe sociale. Sipas Berishës, qeveria ka dështuar në procesin e integrimit europian, ndërsa PD ka qenë forca politike që ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim, si anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave.

“Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE me pensionistë që marrin 140 euro, 150 euro. Nuk ecet. E kanë edhe këtë kriter. Nuk e shpallin. Por e kanë ata edhe këtë kriter. Edhe, e kanë me të drejtë. Ua jap plotësisht të drejtë. Shqipëria, nuk mund të ecë drejt BE duke eksportuar krim dhe kriminalitet, duke dhunuar zgjedhjet e lira. Pra, të gjitha këto janë vetëm mashtrime të Edi Ramës. Në qoftë se, ka një forcë politike që është faktuar se është serioze dhe e suksesshme në proceset integruese, kjo është PD”.

Ai theksoi se 70% e të burgosurve në Shqipëri ndodhen në paraburgim dhe po vuajnë në kushte çnjerëzore, gjë që, sipas tij, bie ndesh me normat europiane.

“PD-ja e integrimit nuk e imagjinon kurrë se mund të integrojë Shqipërinë si vend i burgosjeve dhe arrestimeve politike. Jo, Shqipëria nuk mund të integrohet kurrë si vend i tillë.PD nuk e imagjinon kurrë që të mund të integrojë Shqipërinë si një vend i torturës masive. A e dini ju miq, se sot në burgjet e Shqipërisë 70% e 6200 të burgosurve janë në paraburgim, janë persona të padënuar. Në parim e Kushtetutës së Shqipërisë, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kartës së Organizatës së OKB, ata janë të pafajshëm. Dhe ata mbahen aty, në super kushte çnjerëzore, torture të vërtetë. Jo, Shqipëria nuk mund të ecë në këtë mënyrë drejt BE”.

Në programin e PD-së, Berisha premtoi rritje të pensioneve, ulje të çmimit të energjisë dhe ujit, si dhe lehtësira fiskale për bizneset. Ai u zotua se pensionet do të rriten me 20% dhe do të vendoset një minimum jetik prej 200 eurosh.

“Ne vendosim minimumin jetik 200 euro. Absolutisht, 3 muajt e parë të qeverisjes sonë. Ne do japim Kartën e Konsumatorit. Për çdo pensionist, pensionet do të indeksohen me dyfishin. Fillimisht, do rriten me 20%. Japim Kartën e Konsumatorit. Nuk mund të marrë pensionisti me të njëjtin çmim ilaçet që marrim ne tjerët me rroga të larta. Jo! Atij do t’i kthehet TVSH-ja 450 euro në vit. Do vëmë bonus për çdo fëmijë në rrogë. 70, 60 euro për të dytin. Pagesë e plotë nga lindja gjer në 23 vjeç për të tretin”.

Gjithashtu, Berisha akuzoi qeverinë për favorizimin e oligarkëve dhe për korrupsion në projekte të mëdha ndërtimore. Ai përmendi rastin e një hoteli 20-katësh në Tiranë, duke pretenduar se është ndërtuar me fonde të lidhura me qeverinë dhe se duhet të konfiskohet.

Në përfundim, ai i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin PD-në në zgjedhjet e 11 majit, duke premtuar një ndryshim rrënjësor në ekonominë dhe administrimin e vendit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos