Më 17 shtator, socialistët parashikojnë të miratojnë projektligjin për pagat e magjistratëve, me bindjen se kanë respektuar afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, kur depozituan draftin në Kuvend brenda muajit korrik.
“Jurisprudenca nuk është një shkencë ekzakte. Kemi parashikuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Jemi në kushtet e një ligji, projektligji që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar dhe që kërkon tre të pestat e shumicës së cilësuar të Kuvendit”, tha Taulant Balla, përcjell A2 CNN.
Demokratët nuk do t’i japin votat, duke vlerësuar se propozimi duhet të vinte nga qeveria, jo nga deputetët e mazhorancës. “Vota jonë është kundër, sepse është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk kanë as aftësinë për të përllogaritur pagat e sistemit gjyqësor. Dy kolegët që kanë propozuar ligjin nuk kanë as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.
Krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare kishin qasje të ndryshme për denoncimet dhe përgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, nën hetim nga SPAK, ku flitet për trafik armësh dhe punë të këqija të besuara nga qeveria shqiptare.
Ndërkohë, opozita ka kërkuar hetim parlamentar. “Kam bindjen që Prokuroria e Posaçme, dje, në orën 23:00, kur ka mbaruar emisioni, do të duhej të kishte ardhur te Syri Televizion për të marrë materialet e transmetuara dje dhe do të duhet të ketë nisur një hetim. Nëse kjo nuk ka ndodhur, do të thotë që prokuroria bëhet pjesë e kësaj skeme kriminale tejet të rëndë, të trajtimit të shtetit si një plaçkë private”, tha Bardhi. (A2 Televizion)
