
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me sigurinë në resortet turistike dhe rrezikun që, sipas tij, paraqet krimi i organizuar për sektorin e turizmit në Shqipëri.
Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha propozoi krijimin e një agjencie kombëtare të posaçme, ndërsa kërkoi konfiskimin e objekteve që, sipas tij, janë ndërtuar me para të ardhura nga aktiviteti kriminal.
“Agjenci kombëtare e posaçme, të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi luftën ndaj krimit të organizuar si kusht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe qytetarëve shqiptarë.
“Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigjja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri”, u shpreh ai.
Berisha e përmbylli qëndrimin e tij me thirrjen për “zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”.
(A2 Televizion)