Maratona parlamentare me raportimin e institucioneve të drejtësisë, ishte gati një bilanc i tetë viteve të kaluara nga Reforma e vitit 2016, ku u vlerësuan arritjet por nuk u kursyen kritikat. Duke nisur nga ai që konsiderohet si babai i drejtësisë së re, socialisti Fatmir Xhafaj. Dikur zgjatim i qeverive, sot sipas tij mbetet problem mentaliteti që nuk ka ndryshuar.
“Gjyqtarë dhe sidomos prokurorë, që nuk ndihen brenda vetes të pavarur dhe lejojnë të ndikohen në vendimmarrje nga eprori, kolegu apo faktorë të jashtëm. Ca më keq akoma, që disa prej tyre kanë keqkuptuar pavarësinë, mbështetjen e dhënë, si një liri për të kapërcyer kufijtë e ligjit apo për t’iu kthyer disa praktikave të mëparshme të gabuara për të cilat u detyruam të bënim atë ndërhyrje të thellë në sistem”, tha Xhafaj.
Pavarësia e pretenduar nga mazhoranca nuk bind demokratin Oerd Bylykbashi, që drejtonte për opozitën grupin e punës për reformën në drejtësi.
“Numri i zyrtarëve që caktohen nga politika është shumë i lartë. KLGJ dhe KLP të dyja kanë nga 5 nga 11. E për rrjedhojë dëgjoj edhe kritika për mënyrën sesi zgjidhen anëtarët jo magjistratë. Sepse bien në ndikime. Ndikimi kryesor është ndikimi politik që vjen nga qeveria”.
Edhe Xhafaj pranon se roli mbikëqyrës i këshillave dhe institucioneve të tjera të drejtësisë nuk ka funksionuar, duke lejuar të vijojnë praktikat e vonesave në dhënien e vendimeve.
Të dy ishin një mendje se drejtësia nuk duhet të jetë çështje statistikash dhe vendimet duhet të bazohen vetëm në prova, por problemin e ngritur në parim nga Xhafaj, Bylykbashi e konkretizoi duke përmendur rastet e Sali Berishës dhe Fredi Belerit.
Xhafaj thirri edhe njëherë opozitën të bëhet pjesë e komisionit antikorrupsion që duhet të shikojë edhe punën e organeve të drejtësisë, por ftesa nuk mori përgjigje. (A2 Televizion)