Përplasja ndërmjet KQZ dhe kompanisë postare që mundësoi votimin nga jashtë vendit ka kaluar në nivelin e kërcënimeve. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, DHL i kujton kreut të këtij institucioni, Ilirjan Celibashit, se vlera e dakordësuar në kontratë, nuk është disbursuar. Nëse situata nuk zgjidhet deri në fund të muajit shtator, kundrejt saj do të shtohen edhe kamatëvonesat.
“Në bazë të sasisë së shërbimit të ofruar nga ana e shoqërisë DHL International sipas Kontratës së Shërbimit, rezulton se vlera totale e detyrimit është në shumën prej 863,906,699 lekë. Kamatvonesa që do të maturohej deri në datë 30.09.2025, në rast mos pagese, do të ishte në shumën prej 26,014,829 lekë e cila do t’i shtohej shumës së principalit të detyrimit të mësipërm. Theksojmë se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja financiare që mund të çonin në tejkalimin e parashikimeve buxhetore të përcaktuara në kontratën e shërbimit”, njofton DHL.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një reagim zyrtar për A2 CNN thotë se janë ende në proces verifikimi nëse kompania postare ka zbatuar të gjitha klauzolat kontraktuale në momentin e ofrimit të shërbimit, ndaj nuk ka kryer asnjë pagesë.
“Ju informojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka disbursuar ende asnjë pagesë ndaj kontraktorit. Gjithashtu, raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar për shkak të vëllimit të madh të të dhënave që kërkojnë përpunim dhe angazhimit të stafit në procesin e numërimit/vlerësimit të votave nga jashtë vendit, trajtimit të ankimimeve, si dhe procesit të rinumërimit në vijim”, shprehet KQZ.
Por DHL-së duket se i ka sosur durimi, dhe i ofron Celibashit një ofertë që ngjan më shumë si kërcënim.
“Jemi të gatshëm të heqim dorë nga pagesa e kamatëvonesave të maturuara ndërkohë, nëse nga ana e Institucionit Tuaj do të merren masa për kryerjen e pagesës së detyrimit principal sipas Kontratës së Shërbimit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e kësaj shkrese” shprehet DHL.
Vota e diasporës u implementua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por problematikat e konstatuara duket se nuk lidhen vetëm me kundërshtimin politik të tyre nga opozita, e cila i kontestoi në të gjitha hallkat ankimore zgjedhore, por tashmë zyrtarisht edhe në administrimin e procesit. (A2 Televizion)