Erion Braçe, duke i folur kamerës së telefonit në rrugët e Tiranës, konfirmoi se vijon ambicien e tij për të qenë në krye të Bashkisë së kryeqytetit.
Qëndrimi i tij u shfrytëzua nga Sali Berisha në konferencën për mediet, ku edhe një herë foli për përplasjet në kampin rozë.
“Po pse do të komentoj unë kur ata shkojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Se a nuk u shpall njëherë kjo Korba e Covid-it si kandidate? U shpall zyrtarisht nga Rama. Tani, e kupton që kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan. Nuk ke ç’i bën, le të vazhdojnë.”
Për socialistët nuk i kurseu fjalët, ndërsa kur u pyet për emrat brenda radhëve të selisë blu, ishte më i rezervuar. Sipas tij, demokratët ende nuk e kanë vendosur se me çfarë profili kandidati do të garojnë.
“Gjithçka do të vendoset në javët e ardhshme.”
Emrin e Ilir Alimehmetit për Tiranën, Berisha as nuk e pohon dhe as nuk e mohon.
“Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD-së dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do të përcaktohet në javët e ardhshme.”
Sa i takon primareve, Berisha thotë se vija e kuqe është statuti.
“Nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka.”
Para mediave, Berisha kishte dalë për një tjetër çështje, atë të takimit që kundërshtari i tij politik, Edi Rama, zhvilloi në Pogradec me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve.
Rezultatin e deklaruar nga kryesocialisti për liderin e opozitës, Berisha e konsideroi mashtrim, ndërsa vëmendjen e kishte te menuja e vakteve.
“Korani nuk ka nevojë për komente.” (A2 Televizion)