
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i është drejtuar me një letër urgjente Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, ku kërkon monitorim dhe një takim të posaçëm lidhur me procesin e rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Në dokumentin e firmosur nga kryetari i Shoqatës, Fisnik Qosja, dhe drejtori ekzekutiv Arlind Hoxha, ngrihet shqetësimi për mënyrën e zhvillimit të procesit, duke theksuar se komisioni parlamentar e ka përmbyllur punën pa ezauruar të gjitha fazat e parashikuara në kalendarin zyrtar.
Sipas Shoqatës, nga 16 aktivitetet e planifikuara, janë realizuar vetëm analizat paraprake dhe raundi i parë i konsultimeve në qarqe, ndërsa nuk janë zhvilluar raundi i dytë dhe i tretë i konsultimeve, sondazhi publik, takimet me institucionet ndërkombëtare, publikimi i dokumentit politik me alternativat e reformës, si dhe faza të tjera të konsultimit dhe shqyrtimit institucional.
Shoqata thekson se nuk mban qëndrim për numrin e bashkive apo hartën e re territoriale, por kërkon që procesi të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet evropiane të demokracisë lokale dhe autonomisë vendore.
Në letër evidentohet gjithashtu mungesa e dëgjesës së parashikuar për Bashkinë e Tiranës, si dhe kundërshtimet dhe protestat e regjistruara në disa bashki që preken nga propozimi për reduktimin e njësive vendore.
Shoqata kërkon që Këshilli i Evropës të vlerësojë nëse procesi ka respektuar standardet e konsultimit, pjesëmarrjes dhe konsensusit, duke dëgjuar autoritetet vendore dhe komunitetet e prekura përpara marrjes së një vendimi përfundimtar mbi reformën territoriale. (A2 Televizion)