Agjendën e debatit parlamentar edhe këtë javë nuk e përcaktoi rendi i ditës, por aktualiteti politik. Ngjarja tragjike ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja u bë kryefjalë e seancës që në nisje të saj.
Solemniteti i treguar në nder të ish-gjyqtarit nuk u reflektua në debatin parlamentar, ku opozita nuk nguroi të akuzonte mazhorancën për refuzimin e ruajtjes së sallave të gjyqit me punonjës policie, akuzë që për mazhorancën u lexua si tentativë për të fituar kapital politik me një jetë të humbur.
Qetësinë nuk mundi ta ruante as Ministrja e Brendshme, e cila për gati dy orë shtrëngonte dhëmbët teksa dëgjonte akuzat në drejtim të saj, shkruan A2 CNN.
Insistimi i demokratëve për të vijuar debatin për këtë çështje jashtë rendit të ditës mërziti Taulant Ballën, i cili i ngriti zërin Niko Peleshit duke kërkuar kalimin në votim, pa diskutuar pikat e rendit të ditës.
Fjala e Ballës nuk u bë dysh dhe seanca kaloi në votim. Për çudi, kjo përkoi me momentin kur demokratët vendosën të kalonin diskutimin te rendi i ditës, duke habitur edhe vetë ata.
Komentet për këtë akt palët dolën t’i jepnin përpara kamerave në oborrin e parlamentit. Balla: Kështu do e bëjmë sa herë të përsëritet e njëjta situatë me të drejtën e fjalës përmes procedurës.
Por më shumë sesa qëndrimet, ajo që u dëgjua më fort ishin ankesat e demokratëve ndaj njëri-tjetrit. Deputetët opozitarë nisën të shprehnin hapur pakënaqësitë për mënyrën si u menaxhua seanca plenare nga vetë ata.
Për të qetësuar këtë situatë ndërhyri Sali Berisha, i cili i mblodhi të tijtë, duke ulur gjakrat dhe duke shprehur publikisht se do të ketë një qasje ndryshe në seancat e ardhshme. (A2 Televizion)