Petro Koçi: Florjan Binaj, ushtar i familjes Berisha. PD e zgjodhi që t’i shmanget përgjegjësisë

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 14:17 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, tha se opozita zgjodhi të mbështesë kandidaturën e Florjan Binajt në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor, për të shmangur përgjegjëisnë politike. Sipas tij, Binaj nuk është kandidat i pavarur.

“Është pjesë e një platforme mashtrimi dhe po them, një pretendimi fals, sikur është një kandidat i pavarur. Nuk është i pavarur, por është plotësisht i varur. Thashë është ushtar i familjes Berisha dhe është ushtar i establishmentit, jo kundërshtari i establishmentit”, tha Koçi në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

I pyetur se çfarë vlerësimi ka për Binajn, një aktor popullor dhe i pëlqyer në publik, Koçi u përgjigj: “Po popullor janë të gjithë ata drejtuesit e Partisë Demokratike që nuk patën guximin që të garonin përballë PS. I njohur është edhe Flamur Noka, të gjithë popullorë janë. Do të duhej që një parti serioze kur e mendon Tiranën që duhet të qeveriset siç duhet, patjetër që duhet një figurë të sprovuar politike dhe me kapacitet sërish të provuar administrativ dhe në rastin konkret ne nuk kemi asnjë nga këto. Është zgjedhje për humor dhe është një zgjedhje që Partia Demokratike e ka bërë sepse do që t'i shmanget përgjegjësisë së rezultatit, sepse po bën të njëjtën gjë në të gjashta bashkitë. Pra, mund të vinim një pikëpyetje nëse në bashkitë e tjera do të bënte ndryshe dhe në rastin e Tiranës po themi bëri një zgjedhje që u detyrua nga impakti dhe fuqia e personalitetit të një aktori. Nuk është kështu. Ka bërë një zgjedhje të njëtrajtshme në të gjashta bashkitë dhe është dashur që vetëm të gjejë gjashtë emra të cilët duhet të interpretohen sikur janë të pavarur”.

Sipas tij, zgjedhjet për Tiranën janë të mbyllura dhe fituese do të jetë Manastirliu. “Arlind Qori luan me Qarin pavarësisht se kemi të bëjmë me të njëjtën fjalë edhe ndryshon vetëm një zanore. Pra ai thotë unë hidhem në lojë, e di që do marr disa vota dhe këtë do ta quaj, do që ta quaj një arritje, por nuk ka shanse për të për të fituar. Kështu që këtu gara është e mbyllur”, shtoi Koçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos