Ka nisur ditën e sotme seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në nisje të seancës, ka pasur replika mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Bardhi ka akuzuar Spiropalin se po shkel Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, raporton A2 CNN.
Bardhi ka kërkuar që të kryhen dëgjesat me institucionet e pavarura dhe Kuvendi të vijojë punë edhe pas 8 korrikut, me rekomandimet përkatëse për përmirësimin e punës së secilës prej tyre.
“Pa 8 korrikut nuk miratojmë dot ligje, por nuk ndalohet puna për rekomandimet. Ndaj duhet të vijohet me kalendarët e raportimeve të institucioneve të pavarura në Kuvend dhe Kuvendi të ketë mundësi të lëshojë rekomandime për punët e tyre. Nuk ka pse mbyllet puna e Kuvendit në këtë drejtim. Vendimi juaj është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe afateve që përcakton Rregullorja e Kuvendit”, tha Bardhi, shkruan A2 CNN.
Por nga ana tjetër, Spiropali u shpreh se dëgjesat janë parashikuar në kalendar, teksa këshilloi Bardhin të mos ketë merak, pasi puna e deputetëve do të bëhet.
“Të 26 institucionet e pavarura janë të parashikuara në kalendar. Në varësi të komisioneve duhen kalendarizuar edhe dëgjesat. Ka qenë në pamundësi të deputetëve për t’i përfshirë në dëgjesë për shkak të mungesës së deputetëve dhe çështje të tjera që janë diskutuar më parë. Në kalendar kanë kaluar dhe janë votuar edhe në seancë. Punën tonë do ta bëjmë, pa merak”, tha mes të tjerash Spiropali.
Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi problemin e Avokatit të Popullit si një problem që shtyhet pothuajse nga viti në vit.
Berisha shtoi se Partia Socialiste heziton të zgjedhë në krye të këtij institucioni një kandidaturë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, teksa fliste për z.Ndregjoni.
“Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej pothuajse një viti. Dhe shtyhet dhe shtyhet sepse ju, ose kreu juaj Ramaduro siç po e quajnë tanimë në të gjitha kontinentet, nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyrë. Por rregulli ka qenë që Avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidatëve që paraqet opozita, të impononi kandidaturën dhe jeni të gatshëm ta shtyni me vite vetëm e vetëm që një kandidaturë, e cila për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike. Dje unë dhashë një intervistë dhe një gazetar i mirënjohur më pyeti a janë zgjuar demonët e sistemit të vjetër në Shqipëri me Ramaduron.
Edhe ai fliste për Ramaduron. Kjo që po bëni ju është dëshmi e zgjimit të atyre sepse ju keni hezitim të pranoni një kandidaturë nga shtresa e të persekutuarve politikë, ndonëse zoti Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret. Prandaj sot hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë. Kjo është e papranueshme. Ky është një institucion, pavarësisht se në narkoshtet të gjitha institucionet shumëzohen me zero, por për ne ky është një institucion që duhet të plotësohet me drejtuesin e tij”, tha mes të tjerash Berisha. (A2 Televizion)