Të huajt dhe KQZ apel për reformën, SPAK: Kallëzimet e partive të paplota, po hetojmë 43 krime zgjedhore

Nga Anesti Barjamemaj
26 Qershor 2025, 15:28 | Politikë

Zgjedhjet e 11 majit u shoqëruan me problematika të shumta dhe kërkohet një reformë e re zgjedhore. Ky ishte mesazhi që u përcoll nga tryeza për integritetin e zgjedhjeve, ku morën pjesë zyrtarë të institucioneve të ndryshme dhe aktorët politikë. Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nick Abbott, dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pohuan se gjetjet e OSBE/ODIHR janë të plota, ndaj ato duhen lexuar prej të gjithë aktorëve politikë dhe të nisë puna për një reformë të plotë zgjedhore, duke kërkuar prej deputetëve të rinj që të mendojnë për të ardhmen dhe jo të shohin nga e shkuara.

“Reforma e ardhshme do duhet të garantojë rregulla të barabarta loje për të gjithë kandidatët. Duhen përmirësime në transparencën e fushatës zgjedhore, kështu që njerëzit ta kuptojnë se si partitë politike po financohen... Për deputetët e rinj… ju nuk jeni zgjedhur si mbrojtës të një sistemi që në disa mënyra ndërlidh të gjitha metodat e vjetra. Ju duhet ta mendoni veten aktorë për ndryshim, aktorë për të ardhmen, me vizionin se ku doni që ta shihni Shqipërinë në të ardhmen dhe jo për ngecjen në vend,” tha Nick Abbott, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, shkruan A2 CNN.

“Maxhoranca, gati e cilësuar në kuptim të termave kushtetues dhe të ligjit, shpresoj që të mos jetë pengesë nga pikëpamja formale për të pasur gjithëpërfshirje dhe konsensus se çfarë duhet të reformohet në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri,” u shpreh Ilirjan Celibashi, kryekomisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.

Duke bërë një panoramë të kallëzimeve dhe hetimeve për krime zgjedhore, ku pohoi se çdo denoncim është marrë seriozisht dhe shumë procedime janë ende aktive, kreu i SPAK, Altin Dumani, kritikoi partitë politike se adresimet e tyre në prokurori nuk kanë qenë të plota, shkruan A2 CNN.

“Duke iu referuar materialeve të partive politike dërguara në SPAK, kemi vënë re se kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota dhe shpesh jo të sakta, pavarësisht se kanalet e komunikimit kanë qenë të shumta,” u shpreh Dumani, kreu i SPAK.

Pasi parashtruan kërkesat e tyre, ndërkombëtarët dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura e braktisën tryezën, duke lënë në debat vetëm aktorët politikë dhe ekspertët e shoqërisë civile. Nga mazhoranca socialiste erdhën sinjale për dialog mbi reformën zgjedhore, por opozita vijoi retorikën mbi zgjedhjet e vjedhura.

“Pavarësisht se mazhoranca ka fituar gati një shumicë të cilësuar, dikush tha që bazohet te fjala, fjala është e para. PS është e gatshme të adresojë rekomandimet e reformës zgjedhore,” tha Dumani.

“Vetëm në lidhje me realitetin në Shqipëri nuk ka faj fjala e drejtuesve të panelit të parë, në raport me zgjedhjet në vendin tonë. Do doja që të ishte këtu edhe zoti Dumani për të folur për suksesin e task-forcës së ngritur nga SPAK për krimet zgjedhore dhe bilancin e kësaj task-force,” tha Belind Këlliçi, deputet i zgjedhur i PD-së.

Edhe përfaqësuesit e partive të reja kërkuan reformë zgjedhore, por theksin e vendosën te favorizimi i mazhorancës nga sistemi aktual zgjedhor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos