Dënimi i krerëve të UÇK, Berisha: I padrejtë dhe i pamerituar! Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës

Nga A2 CNN
16 Shtator 2026, 13:54 | Politikë

Dënimi i krerëve të UÇK, Berisha: I padrejtë dhe i

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta. Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë të mërkurën, raporton A2 CNN.

Thaçi, 58 vjeç, u dënua me 25 vjet burg për krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera kur ai ishte komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, kur Kosova po luftonte për t’u shkëputur nga Serbia.

Në vendimin e dhënë Gjykata tha se Thaçi u shpall fajtor për vrasjen e 96 kundërshtarëve politikë dhe personave të konsideruar bashkëpunëtorë të forcave serbe të sigurisë, të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë konfliktit.

Për akuza të ngjashme, u dënua me 25 vite burg edhe Jakup Krasniqi. Kadri Veseli u dënua me 18 vite burg ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos