Dashamir Shehi, kryetar i LZHK, deklaroi se “Shqipëria ka nevojë për një Kushtetutë të re, për të krijuar ekuilibra të reja”.
“Unë prej vitesh e them që Shqipëria ka nevojë për një Kushtetutë të re, për të krijuar ekuilibra të reja, për të plotësuar disa të drejta që nuk u zbatuan kurrë. Për këtë punë duhet edhe referendum, por akoma s'kemi bërë ligjin për referendumet sepse s'i pëlqen asnjë pale kjo punë. Sepse referendumi mund të ngrejë ca gjëra që nuk i kanë qejf qeveritë shqiptare. Sepse referendumi, në një farë mënyre, kufizon arbitraritetin e qeverisjeve. Prandaj nuk e duan. Unë them që ka ardhur dita për t'i riparë disa nga këto elementë sepse nuk janë tabu. Mirëpo, këtu asnjëri nuk dëshiron të ndryshojë asgjë dhe unë kam frikë që edhe kur të vijnë zgjedhjet e tjera, do të hyjmë po me këtë ligj”, tha Shehi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Unë kam pasur shpresë dhe kam akoma se ndoshta kjo drejtësia e re do vazhdojë t'i mbyllë disa nga këto çështjet, që të rifitohet një besim në imazhin popullor, por gjithnjë kam thënë që pjesa tjetër e drejtësisë është shumë mbrapa”, shtoi Shehi.
(A2 Televizion)