Dënimi në Hagë, ish-luftëtari i UÇK-së akuza politikanëve të Kosovës: Turp që po përdorni për revoltë

Nga A2 CNN
16 Shtator 2026, 22:07 | Politikë

“Është fatkeqësi që shqiptarët në këtë dhimbje që ka Kosova për këtë vendim të padrejtë dhe që thyen dinjitetin dhe ndjenjën tonë kombëtare, të shfrytëzohet për të bërë politikë”. Ish-luftëtari i UÇK-së Meçan Zotaj ka akuzuar në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN politikanët e  Kosovës që po përdorin këtë moment për të nxitur revoltë.

“Nuk ja bëj avokatin e asnjërës parti politike. Faktikisht unë ndjej keqardhje për masën që manipulohet nga deputetë, nga politikanë të ndryshëm në Kosovë, sepse para vendimit ka pas politikanë që kanë bërë thirrje të armatosin shqiptarët, do djegim, do e kallim, gjë që nuk i ka kontribuar paqes në Kosovë, nuk i kontribuon shtetit të Kosovës për vazhdimësinë stabile. Sot reagimi i popullit në çdo vend ka mirëkuptimin e secilit dhe të faktorit ndërkombëtar. Sepse një popull kur dënohen liderët e luftës nuk mund të reagojë ndryshe. Do të revoltohet dhe revolta e tyre është me vend. Po thirrjet e politikanëve për revoltë nuk janë me vend dhe sulmet e opozitës në pozitë duke shfrytëzuar dhimbjen, duke shfrytëzuar fatkeqësinë kombëtare për dënimin e liderëve të UÇK-së në Hagë është shumë e ulët. Nuk tregojnë pjekuri kombëtare politike për atë që me të vërtetë Kosova ballafaqohet, por e nisin me atë dhe përfundojnë pak edhe te interesat partiake. Kjo është ajo që ka ndodhur sistematikisht dhe për shkak të këtyre njerëzve që e kanë nisur me çështjen kombëtare dhe e kanë dashur ta rregullojnë pak nga interesat personale ka ndodhur kjo dhe jemi këtu ku jemi sot. Është fatkeqësi e madhe”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve si në Shqipëri e Kosovë që të mos të bien pre e dëshirave të politikanëve të ndryshëm apo shërbimeve të huaja për të mos rikthyer protestën e marsit 2004.

“Unë bëj thirrje të paktën secilit atij që mund ta vlerësojë fjalën time si një qytetar shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës që të kenë kujdes në veprimet e tyre, mos të bien pre e dëshirave të politikanëve të ndryshëm dhe të mos bien pre e shërbimeve të huaja, mos të bëjnë një protestë si ajo e marsit të 2004-s që nisi kundër një revolte dhe një status quo-je të Kosovës dhe për vrasjen e tre fëmijëve në lumin Ibër nga serbët dhe përfundoi me djegie të objekteve fetare dhe kaloi në një konflikt që më shumë i kushtoi Kosovës tani sesa që e ndihmoj. Të kemi kujdes në reagimet tona”.

Ish-luftëtari i UÇK-së apeloi që të luftojnë në Apel për identitetin kombëtar dhe pastrimin e katër figurave kryesore të UÇK-së.

“Të luftojmë të gjithë së bashku për vendimin e gjykatës të apelit, që të lirohen liderët tanë, por nga të gjithë politikanët, edhe nga ata që votuan dhe nga ata që s'votuan duhet të luftojmë për qëllimin e identitetit tonë kombëtar dhe të pastrimit definitiv edhe të katër figurave kryesore të UÇK-së e jo të bëjmë propaganda politike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos