
BE-ja i është përgjigjur A2 CNN pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në përgjigjen për gazetaren e A2 CNN Fjorela Beleshi, thuhet se Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Brukseli u bën thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe rajon për vetëpërmbajtje dhe kërkon që gjykata dhe Prokuroria Speciale të vijojnë punën pa ndërhyrje. Sipas BE-së, drejtësia është veçanërisht e rëndësishme për viktimat dhe familjet e tyre.
“BE-ja merr dijeni për vendimin e sotëm të shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një trup gjykues të veçantë.
BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje. Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje të përmbushin mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësisë duhet t’i lihet rruga e saj, veçanërisht për hir të viktimave.
Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në të gjithë Kosovën.
BE-ja rikujton mbështetjen e saj të vazhdueshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si një institucion i krijuar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015 dhe që vepron në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.
Puna e tyre është e rëndësishme për garantimin e llogaridhënies dhe dhënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, duke kontribuar kështu në pajtim.
Mbetet thelbësore promovimi i një mjedisi pa frikësim, frikë dhe hakmarrje, si dhe mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve”, thuhet në reagimin e BE-së për A2 CNN.
(A2 Televizion)