Pas kthimit nga SHBA, Berisha: Udhëtimi im të shërbejë për bashkimin e demokratëve

Nga Anesti Barjamemaj
16 Shtator 2026, 19:34 | Politikë

Sali Berishës iu deshën disa ditë për të takuar të gjithë deputetët pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure të grupit parlamentar, lideri demokrat tha se vizita e tij përtej oqeanit duhet të shërbejë për bashkimin e demokratëve, shkruan A2.

“Ky udhëtim i imi duhet, dhe shpresoj të shërbejë, edhe si një apel bashkimi për të gjithë ata demokratë dhe demokrate, që gjer sot kanë konsideruar ndalimin e vizës për Sali Berishën si një pengesë për t’u bashkuar me ne. Unë i ftoj ata të kthehen te kontributet e tyre”, tha Berisha.

Por, ftesa as këtë herë nuk shkoi për të gjithë: “Nuk e kam fjalën për aksionerët, bashkëaksionerët me qeverinë, se ata nuk vijnë edhe po t’u them unë edhe 100 herë, ata nuk i lënë aksionet e tyre”.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Berisha komentoi edhe debatin për pagat e magjistratëve: “Përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë se kemi të bëjmë me një shtet bandit, bandë. Të lësh një sistem të tërë pa rroga, se je administrator i paaftë, bën një krim të vërtetë kushtetues. Ku e gjen ti autoritetin?”.

Lideri demokrat përgëzoi deputetët për depozitimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për KAYO dhe u përsëriti thirrjen që duhet të marrin pjesë në protestën qytetare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos