Deputetët kthehen në komisione, opozita me prezencë simbolike, denoncon “krimet zgjedhore”

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 17:10 | Politikë

Rikthimi i deputetëve në komisionet parlamentare u dha mundësinë socialistëve dhe demokratëve të qanin hallet me njëri-tjetrin në korridoret e Kuvendit.

Pavarësisht çfarë ndodhi jashtë sallave, gjatë mbledhjeve gjithsecili veshi kostumin e partisë që përfaqëson. Socialistët iu bindën urdhrit për të mos munguar në aktivitetet parlamentare pavarësisht rezultatit që kanë marrë në 11 maji.

Ndryshe nga opozita që rikthimin në detyrë duket sikur e kishte më të vështirë, pasi pjesëmarrja e tyre numërohej me gishtat e së njërës dorë.

Demokrati Asllan Dogjani që humbi në garën e 11 majit, ishte më i ashpër në retorikë, duke akuzuar mazhorancën e Edi Ramës për lidhje me botën e krimit.

“Demokracia në Shqipëri ka marrë fund është instaluar diktatura. Edhe socialistët e ndershëm u përballen me një situatë kriminale. Fitoi mafia. Edi Rama është marrë peng nga ndërkombëtarët dhe do të kthehet në një përballje të rrezikshme. Nuk fitohen zgjedhjet përballë krimit. Duhet qeveri teknike”, tha Dogjani.

Enkelejd Alibeaj mendon që ai së bashku me 10 përfaqësues të tjerë të ligjeve nga të dyja kampet nuk kanë më të drejtë të miratojnë ligjet pasi nuk morën votëbesim nga qytetarët, ndonëse mandati i tij 4-vjeçar është i vlefshëm deri në shtator.

“10 veta në këtë tavolinë nuk janë më deputetë. Nuk kemi autorizim për për të marrë vendim në emër të zgjedhësve”, tha Alibeaj.

Argumentin kundër këtij pretendim, kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka e cila gjithashtu nuk do të jetë më deputete, e justifikoi me detyrimin për integrimin.

Të njëjtin mendim si Alibeaj kishte edhe Kryetarja e komisionit të integrimit, demokratja Jorida Tabaku për punën e parlamentare pas zgjedhjeve.

Përgjigje për akuzat politike për procesin zgjedhor Tabaku e mori edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

“Nuk ka rëndësi sa kapituj hap, por raporti i ODIHR më vjen keq por ishte shumë shqetësues, pasi vetëm zgjedhje europiane nuk ishin”, tha Tabaku.

“Humbja nuk është e pëlqyeshme fitorja përgjegjësi më e madhe. Këto ishin zgjedhjet më të mira që ka zhvilluar Shqipëria”, shtoi Balla.

Përballë socialistëve dhe ministrit të qeverisë Taulant Balla në komision e jashtëm demokratët kishin lënë vetëm një deputete, e cila zgjodhi të “luftojë” me heshtje.

Në ndryshim nga kolegia e komisionit të jashtëm, demokratja Ina Zhupa në komisionin e medias foli me gjuhën e kryetarit të partisë së saj, duke akuzuar mazhorancën për krim zgjedhor. Përgjigjen e mori nga socialistja Evis Kushi.

Komisioni i veprimtarisë prodhuese u rikthye normalisht, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos