Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, iu përgjigj kritikëve të koncertit të Kanye West në Tiranë, duke theksuar se eventi solli efekt ekonomik në kryeqytet.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gonxhja foli për 23 mijë të huaj që ishin në Tiranë gjatë eventit, duke shtuar se vetëm të ardhurat e taksave tejkalojnë shifrën 4,2 milionë euro që u akordua nga qeveria.
"Vetëm pak ditë pas koncertit, nga të gjitha analizat ekonomike që ne kemi bërë, impakti direkt ekonomik të një koncerti të sabotuar, të bullizuar, të minuar, të tallur, të luftuar, si Don Kishotë ndaj një mulliri ere që nuk e di si u krijua dhe u kthye të ishte Kanye West, që ishte një kometë për nga mundësitë që mund të na jepte ne për nga promocioni dhe imazhi i vendit...Vetëm nga impakti ekonomik i atyre 23 mijë të huajve që ishin në Tiranë ato ditë dhe gjithë konsumit, xhiros, qarkullimit ekonomik, direkt në vendin tonë ka qenë i tillë, që të ardhurat vetëm nga taksat e këtij qarkullimi superojnë 4,2 milionë euro", tha ministri.
"Gonxhja që ua mori lekët spitaleve, nëse do besonim këtë përrallën e marrjes së lekëve të emergjencave të spitaleve, paska kthyer më shumë lekë në arkat e shtetit se sa i mori arkës së shtetit. Në rast se ne nuk do ta kishim bërë atë që bëmë, dëmi në biznese, ekonomi, komunitet, qytet, pse jo edhe në ëndrrat e shumë të rinjve në Tiranë që u bashkuan atje dhe ishin 60 mijë veta, pse jo edhe ata të mos i zhgënjenim. 115 herë më shumë është kërkuar në Google Shqipëria prej Kanye West-it, se sa është kërkuar gjithë herët e tjera në historinë e saj", shtoi ai.
(A2 Televizion)