Lirinë e kemi larë me gjak. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, duke sjellë në vëmendje se pavarësia e Kosovës janë arritur me sakrifica të mëdha dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve perëndimorë.
Sipas tij shqiptarët duhet të jenë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për pavarësinë e Kosovës, që përkrahën rezistencën e popullit kosovar dhe i dhanë fund gjenocidit.
“Nuk është punë e vogël të bësh shtet në Europën plakë. Kosova është bërë shtet. Nuk është e lehtë, ta bësh Kosovën në shtet kur 150 vjet Moska e Beogradi kanë investuar që ta zhdukin nga faqja e dheut jo vetëm Kosovën, por edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë dhe ta lënë Shqipërinë në Durrës një copë, një copë të vogël. Unë nuk dua të hyj tani në trajtim të çështjeve historike se si ka ndodhur nga 1878 në konferencën me Shën Stefanin ku toka shqiptare ndahen e copëtohen që i konfirmon edhe konferenca e Berlinit, po tani konferenca e Londrës, e Versajës. Të gjitha konferencat kanë qenë në dëm të tokave shqiptare dhe është hera e parë që komuniteti ndërkombëtar, Amerika, Europa përmirësojnë edhe gabimet historike në dëm të shqiptarëve. Ne kemi patur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkrahjen e aleatëve të shteteve të Europës, aleatë dhe anëtarë në NATO. Në këtë në këtë luftë, çlirimin e arritëm me aleatë. Lirinë e kemi larë me gjak. Kështu që duhet të jemi mirënjohës në jetë të jetëve Amerikës, NATO-s që kaloi në anën e së drejtës në përkrahje të rezistencës, në përkrahje të ndërprerjes së gjenocidit, të dëbimit të shqiptarëve, veç 800.000 shqiptarë në Shqipëri kanë qenë të të dëbuar. Mos flasim për pjesën tjetër në Maqedoni”. (A2 Televizion)