Mes liderëve europianë që kanë uruar ditën e sotme kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit, është edhe homologu i tij kroat, Andrej Plenković.
Plenković përmes një postimi në rrjetet sociale përveçse uron Ramën, shprehet edhe entuziast për takimin me të në Tiranë, që do të zhvillohet më 16 maj, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Me kënaqësi pres të marr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan Plenković.
E para që e uroi Ramën ishte kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilën shefi i qeverisë shqiptare e falënderoi duke e quajtur sërish “Motra ime”. Po ashtu urime erdhën edhe nga Kievi e Madridi, me Presidentin Zelensky dhe kryeministrin Pedro Sanchez që uruan Ramën përmes postimeve në rrjetin social ‘X’.
(A2 Televizion)