
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ishte i ftuar në Off the Record me Andrea Dangllin ku foli për protestën e parë të opozitës përpara selisë së kryeministrisë.
Teksa insistoi se kjo protestë nuk kishte lidhje me numrat e pjesëmarrësve në të, drejtuesi politik i PD për Tiranën shpjegoi se ky lloj tubimi do të jetë periodik për sa kohë që hapësira e opozitës në Kuvend është zvogëluar.
“Nuk ka lidhje me pjesëmarrjen dhe qëllimin. Ne nisëm një seri foltoresh me një format tjetër që hapësira e munguar në parlament, komisione për deputetët, mohimi i mocioneve për debat, mohimi i të drejtës për të ngritur komisione hetimore, tani do të zhvendoset para Kryeministrisë për të treguar të gjitha skandalet që opozita nuk ka mundësi ti tregojë në parlament. Janë ngushtuar hapësirat e fjalës për opozitën në parlament”, tha Këlliçi.
Teksa foli dhe për takimin ndërkombëtar që do të marrë pjesë së bashku me kryetarin Sali Berisha, Këlliçi tha për gazetarin Andrea Danglli se protesta e nisur në formën e foltores, do të prodhojë të njëjtin përfundim si ajo përpara bashkisë, që çoi në arresimin e kryebashkiakut.
“Para bashkisë kishte dhe më pak se kaq protestues se sot dhe ajo u anatemua, por ia doli. Do shihni dhe pak atë që do të ndodhë. Duroni dhe pak dhe te kryeministria. E dija që debatet e sotme do fokusoheshin te PD dhe jo te skandalet. Kushdo që ka hatërmbetje duhet të bjerë dakord se personi përgjegjës ku është Shqipëria është kryeministri. Protesta nuk është monopol i PD. Kushdo që ka një mendim më të mirë është i ftuar të bëjë opozitë, mikrofoni ka qenë i hapur për të gjithë. Po kam dijeni për këtë udhëtim të Berishës. Është një udhëtim pune. Por kur ai nuk ka bërë publike detaje, nuk mund t’i bëj unë. Jam pjesë e të njëjtit udhëtim. Edhe kjo lojë e shëmtuar me fletëthirrjen e 21 janarit është e stisur për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve. Nuk ka ndonjë kuriozitet kaq të madh është një samit ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Në Off the Record, Këlliçi zbuloi se mbështet një skenar greve urie nga deputetët e opozitës dhe shton se ka qenë një ndër nismëtarët e kësaj ideje.
“Edhe në aspektin personal, nuk kam asnjë problem. Jam pro ngujimit dhe grevës së urisë për sa kohë nuk zbatohet rregullorja dhe kushtetuta. Deputetët nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të çuar në parlament problemet e qytetarëve. Unë personalisht jam në favor të këtij skenari”, u shpreh Këlliçi në A2 CNN. (A2 Televizion)
