Do garojë në listën e hapur të Tiranës, Meta nga burgu: Pa sakrificë s'ka fitore madhështore!

Nga A2 CNN
11 Mars 2025, 11:28 | Politikë

Do garojë në listën e hapur të Tiranës, Meta nga burgu:

Pak orë pasi Kryesia e Partisë së Lirisë vendosi që ai të garojë në listën e hapur të qarkut të Tiranës për koalicionin “PD-Shqipëria Madhështore”, Ilir Meta ka reaguar nga burgu përmes një postimi në Facebook.

Meta shprehet se propozimi i Kryesisë ishte që ai të garonte në listën e mbyllur, por theksoi se ishte kërkesë personale garimi në listën e hapur, pasi e sheh këtë si një hap të rëndësishëm në betejën politike që ai po udhëheq.

Më tej kreu i PL shprehet se fitoret madhështore mund të arrihen vetëm falë sakrificave ekstreme, ndaj kërkon angazhim maksimal nga të vetët për këto zgjedhje pavarësisht kushteve të vështira ku ndodhen.

Ai gjithashtu kujton garën e vitit 2005 ku pas ndarjes nga PS dhe themelimit të LSI, garoi në sistemin mazhoritar, duke dalë triumfues në Tiranë.

REAGIMI I ILIR METËS:

Falënderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që fillimisht më propozoi të isha kandidat për deputet në listat e mbyllura, por që mbrëmë miratoi kërkesën time, që Ilir Meta edhe pse në kushte ekstreme izolimi, do të jetë kandidat për deputet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.

Partia e Lirisë (LSI) dhe Ilir Meta kanë qenë të parët për listat e hapura. Ilir Meta bashkë me disa kolegë hynë në grevë urie në vitin 2008 kundër ndryshimeve kushtetuese, që sollën listat e mbyllura dhe vranë parlamentarizmin e vërtetë.

Ilir Meta në vitin 2005, për të gjithë ata që kanë humbur kujtesën, edhe pse kishte mundësinë të dilte deputet nëpërmjet sistemit proporcional, bëri një akt të rëndësishëm politik duke e vendosur veten vetëm në mazhoritar sepse për mua më i rëndësishëm ishte zhbllokimi i procesit europian të vendit se sa thjesht garantimi i një mandati deputeti. Unë nuk krijova parti për t’u bërë deputet por për të garantuar rotacionin politik dhe për të zhbllokuar integrimin europian të vendit.

Edhe sot, për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe e panë rrëmbimin tim kriminal dhe që e dinë se ku ndodhem, u them se pavarësisht se jam në kushte ekstreme izolimi është detyra ime të udhëheq Partinë e Lirisë me shembullin tim dhe të luftoj me të gjithë fuqitë e mia për t’u treguar të gjithëve se kjo është një betejë që në radhë të parë kërkon sakrifica ekstreme për t’u fituar dhe jo llogari meskine afatshkurtra nga ata që mendojnë se politika është narrativë apo perceptim.

Ilir Meta me shembullin e tij nga qelia Nr.5 tregon se lufton për kauza të mëdha dhe se nuk i tradhton kauzat që beson.

Mafia nuk luftohet duke vegjetuar apo duke pritur dhurata nga qielli.

I falënderoj të gjithë për mirëkuptimin dhe për mbështetjen në këtë betejë historike për fitoren e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që është qëllimi ynë madhor. FITORE! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos