Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin e tij në rrjetet sociale me ndjekësit, foli edhe për aspekte të jetës së tij personale.
“Kush më njeh, e di shumë mirë që unë nuk punoj për të jetuar, unë jetoj për të punuar. Unë jetoj për të bërë gjëra, jo për të konsumuar gjëra. Kush më njeh, e di shumë mirë që qysh se jam bërë kryeministër, mund të kem dalë në restorante 30 herë në total gjatë 12 viteve. Janë shumë. Dhe nga këto, 25 me siguri me familjen. Është sakrificë e madhe për familjen, për fëmijët tanë, por është kështu”, tha Rama, shkruan A2.
“Të gjithë pjesën e kënaqësive të imagjinuara ose propaganduara si ha, e si pi, kush më njeh e di shumë mirë që s’kam lidhje fare me këto. Patjetër që më shijon një ushqim i mirë kur është mundësia, por mund të rri pa ngrënë edhe dy ditë. E bëj për arsye të favoreve që ka organizmi me këtë gjë. Nëse arrin të bësh një cikël prej 48 orësh vetëm me ujë, është një gjë pozitive për organizmin. Është gjëja më normale për mua që përgjithësisht të ha një vakt në darkë dhe në shtëpi rregullisht. Në drekë tek ajo tavolina aty mbrapa (tregon tevolinën e zyrës) nëse ha drekë”, tha Rama.
(A2 Televizion)