"Duhet ndryshim rrënjësor në PD", Qosja: Ti servirim qytetarëve figura të reja, fituesit e Primareve duheshin në listë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 14:13 | Politikë

Për kryebahskiakun e Kavajës, Fisnik Qosja, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, selia blu duhet të nis një riorganizim të thellë brenda saj, sapo të publikohet raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 11 majit.

Qosja tha në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN se rruga e vetme për të kapërcyer krizën e brendshme dhe për të mposhtur Edi Ramën në zgjedhje, është ndryshimi rrënjësor në PD përmes promovimit të figurave të reja, që i simpatizon qytetari.

“Pa diskutim mbas mbarimit të raportit të OSBE/ODHIR që do jetë ashtu siç është me gjithë farsën e vetë brenda. PD nuk duhet të humbi asnjë sekondë për të riorganizuar nga seksioni i fundit i një dege e deri të kryesia qendrore. Nuk ka mënyrë tjetër. Ne kemi figura të reja shumë të mira, kemi prodhuar gjatë gjithë kohës figura të reja, edhe rezultati e tregoi se aty ku kanë qenë të rinj, figura të pastra, që e kanë bërë me zemër e shpirt gjënë, ka fituar PD-ja. Kjo tregon se demokratët e duan ndryshimin, i duan edhe njerëzit. Ne duhet t’i serviremi qytetarëve shqiptarë me njerëz të denjë, njerëz të pastër, që realisht e duan vendin dhe PD. Përndryshe do të rrimë në regres dhe do notojmë po në këto ujëra, që fajin e ka ky, do merremi me njëri-tjetrin dhe do lejmë kundërshtarin të vazhdojë të jetë në pushtet”, deklaroi Qosja në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN.

I pyetur për procesin e Primareve dhe mbetjen jashtë listës së kandidatëve për deputetë, të fituesve të këtij procesi, siç ishte rasti i të parit të qarkut të Tiranës, kavajasit Hysen Kadiu, Qosja tha se kjo strategji përjashtimi e fituesve të garës së brendshme në PD ishte e gabuar.

“Është e hershme situata e PD. Duhet të marrim pjesë në të gjitha reformat, në drejtësi, territoriale, parlamentare. Një parti politike duhet të jetë pjesëmarrëse, sepse nëse ti nuk je pjesëmarrës, atëherë kot që je. Një ekip po nuk luajti në fushë nuk do quhet ekip. Duhet të luash në fushë, atëherë luan mirë apo keq, atë e gjykojnë qytetarët, por ama ti duhet të luash. Sa i përket Primareve është një gabim. Unë e kam kritikuar PD-në, sepse një njeri që fiton Primaret patjetër duhet të ishte në listë të sigurt. Kjo nuk ka nevojë as për debat. Ishte një gabim dhe duke bërë 5 gjykime nëpër qytete, një në Kavajë, një në Elbasan, një në Berat ku di unë, humbet loja”, tha Fisnik Qosja në në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos