“Lapajn dhe Shabanin i ka nxjerrë Kreshnik Spahiu nga hundët”- Avokati: 'Nisma Shqipëria Bëhet' vrau shpresën, ja fajtori kryesor

Nga A2 CNN
19 Korrik 2025, 23:42 | Politikë

“Lapajn dhe Shabanin i ka nxjerrë Kreshnik Spahiu nga

Avokati Leonard Karaj ka reaguar ashpër në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN ndaj përplasjes publike mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, duke i quajtur dy liderë të papjekur politikisht që nuk arritën të ndërtonin një alternativë të vërtetë për vendin.

“Duket si një fëmijë i vdekur. Ishte një opozitë që mund të jepte idenë se mund të kishte një lloj poli të tretë. Unë e lexoj në këtë mënyrë – që këta treguan se janë dy liderë shumë të vegjël, që nuk kalojnë dot as përtej hundës së tyre,” u shpreh Karaj.

Ai vlerësoi se Lapaj mban më shumë përgjegjësi politike për situatën, duke theksuar se nuk mjafton retorika pa aksion konkret.

“Për mua Lapaj ka më shumë përgjegjësi. Sepse politika është aksion. Nëse ti del në media, nëse ti del kur bëhet koalicioni dhe thua ‘unë nuk dua fare të bëhem deputet, mjafton të punojmë të bëhemi 2’, atëherë i lind e drejta dajës të kërkojë të futet në Kuvend. Edhe Shabani ka përgjegjësi për njerëzit që zgjedh aty,” tha ai.

Karaj kritikoi ashpër edhe mënyrën si u menaxhua përplasja brenda lëvizjes, duke thënë se “nuk sfiduan kodin zgjedhor, por shtëpinë e tyre”.

Në fund, ai shprehu zhgënjimin e thellë që kjo situatë ka sjellë për qytetarët që kishin filluar të shpresonin te një brez i ri politik.

“Historia e gjithë kësaj përplasjeje tregoi diçka shumë të madhe – vrau shpresën. Vrau shpresën që shqiptarët të besonin te një brez i ri që mund të bënte diçka. Sepse unë nuk i kam pasur kurrë modele ata. Dy njerëz që i ka nxjerrë Kreshnik Spahiu nga hundët, unë nuk i kam modele. Ua kam thënë botërisht të dyve,” përfundoi avokati Karaj, shkruan A2 CNN.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur pritshmëritë për një pol të tretë opozitar duket se janë zbehur ndjeshëm, për shkak të mungesës së kohezionit dhe përplasjes mes individëve që për pak kohë u panë si shpresë për ndryshim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos