Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook në lidhje me aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke bërë me dije se vetëm në Tiranë, deri nesër, do të jenë çliruar rreth 20 mijë metra katrorë hapësira të zëna.
Në një postim në Facebook, Rama tha se operacioni do të vijojë pandalshëm, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, në bregdet dhe në zonat e mbrojtura, ku sipas tij, “ky fenomen ka marrë kot”.
“Puna nuk do të ndalet më, as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen, dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura, jo e jo…”, shkruan Rama.
Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se është duke u punuar për fazën e dytë të Rilindjes Urbane (2.0), ku janë përfshirë arkitektë të huaj dhe vendas, për projektimin e hapësirave të riorganizuara urbane, shkruan A2 CNN.
Sa i përket vendosjes së tavolinave të bareve dhe restoranteve në hapësirat publike, Kryeministri paralajmëroi një plan të ri kombëtar, ku do të aplikohet formula “75% për këmbësorët dhe 25% për njësinë e shërbimit”.
Ai theksoi se nuk do të lejohen më struktura të ndërtuara mbi trotuare, përveç rasteve të hapësirave të bollshme, dhe vetëm kur ekziston një projekt urbanistik i miratuar. (A2 Televizion)