Një ngjarje që ulëret për drejtësi, e ka cilësuar kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj atë që ndodhi në 21 janarin e 14 viteve më parë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Lapaj zbuloi se ka informacione për prova të reja të ardhura nga Turqia që tregojnë se plumbi i gjetur në kokën e një prej të dëmtuarve, nuk është nxjerrë nga një armë e shtetit shqiptar.
“Në dijeninë time ka prova të reja nga Turqia. Plumbi i gjetur në kokën e një të prej të dëmtuarve rezulton që nuk është qitur nga një armë e shtetit shqiptar. Mund ta kem gabim por ky informacion më ka ardhur. Është ngjarje që ulëret për drejtësi. Nuk e kam burim zyrtar. E thashë, sepse nuk kam pse mos e them, përderisa e kam si informacion. Informacionin e kam nga njerëzit që kanë humbur familjarët”.
Lapaj theksoi se “ato janë pamje të imazhit të skanerit të pacientëve që kalibri i plumbit nuk është nga armët e shtetit shqiptar që përdoreshin në atë kohë”.
Sipas tij “përgjegjësia është e të gjithë atyre që e nxitën dhe ata që zgjodhën mjetet e gabuara për ta ndalur. Besoj ka ardhur koha të bëhet drejtësi për atë”. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   