“Dumani po amniston krimet”, Berisha akuzon qeverinë se bleu zgjedhjet me tendera

Nga Anesti Barjamemaj
7 Gusht 2025, 14:53 | Politikë

Kodi Zgjedhor i ndalon prokurimet publike në periudhën deri në 4 muaj para zgjedhjeve, por Sali Berisha pretendon se autoritetet shtetërore kanë dhënë tendera me vlerë 500 milionë Euro.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, teksa vijoi denoncimet për atë që e quan farsë elektorale, Berisha akuzoi një sërë zyrtarësh se kanë shkelur ligjin duke dhënë para publike në periudhë zgjedhore.

“Pikërisht në këtë periudhë u organizuan 4500 veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë ‘Giro d’Italia’, 7 mln euro një organizate private ditën e votimit dhe një ditë para zgjedhjeve”.

Duke cituar dhe raportet ndërkombëtare, lideri i opozitës sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumani duke e akuzuar se po amniston krimet zgjedhore.

“Për këtë njeriu i dytë më përgjegjës për farsën elektorale Altin Dumani, thotë se nuk kemi të dhëna, fakte dhe prova, sepse për Dumanin ligji është letër e vdekur, dokumentet zyrtare janë letra pa vlerë, mbasi ai është një fanatik i verbër, një avokat i verbër i krimit elektoral të qeverisë dhe bashkëfajtor në farsën elektorale”.

Përsëriti kërkesën për qeveri teknike, duke pohuar se nëse nuk ndahet shteti nga partia nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira.

“U përket shqiptarëve, do jetë shqiptarët dhe opozita, do të krijojnë një qeverisë do të përgatisë zgjedhje dhe nuk do mund të përdorë një qindarkë të vetme për të ndikuar në mënyrë të njëanshme”.

Kreu i Partisë Demokratike premtoi vijimin e denoncimeve për parregullsitë në zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos