Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë theu heshtjen duke folur jo me fjalë, por me vepra për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Stafi i ambasadës publikoi disa takime të ndara që zhvilloi gjatë korrikut me të rinjtë socialistë e demokratë të politikës në rezidencën amerikane në Tiranë. Mesazhi i parë duket se ishte i qartë, bashkëpunimi preferohet më shumë me të rinjtë se sa të vjetrit e politikës në vend, shkruan A2 CNN.
“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit”, njofton ambasada.
Nga radhët e socialistëve ishin dy deputetë nga qarku Fier, Asfloral Haxhiu dhe Ana Nako, shoqëruar nga deputetja e qarkut Durrës Etleva Budini dhe ajo e Tiranës, Ilva Gjuzi. Nga radhët e demokratëve ishin Igli Cara dhe Manjola Luku nga qarku Durrës së bashku me Besard Xhaferrin nga qarku Tiranë dhe Erald Kaprin, deputetin e Partisë Mundësia, shkruan A2 CNN.
Vetë ambasada e përshkroi këtë takim me pak fjalë, por të mjaftueshme për të dhënë mesazhin se për selinë diplomatike nuk ka diferencime ndërmjet PS dhe PD, ndonëse partia më e madhe opozitare drejtohet nga një person i shpallur “non grata” prej tyre.
“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”.
Mesazhi i ambasadës ishte po aq diskret sa reagimi i parë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe gjithçka duket se shkon në linjë me porosinë që ka dhënë Shefi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që selitë diplomatike nuk duhet të përfshihen në urata elektorale.
“mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, për të vënë në dukje interesat e përbashkëta të politikës së jashtme. Mesazhet duhet të shmangin shprehjen e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”, tha Rubio.
Diplomacia ka mënyrat e veta e të komunikuarit dhe ky takim në një farë mënyrë, dha një qëndrim për një nga debatet që vijon prej tre muajsh, që zgjedhjet parlamentare janë legjitime së bashku me produktin e tyre në Parlament. (A2 Televizion)