
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke e cilësuar si “të paprekshëm” dhe “të kontrolluar politikisht nga Edi Rama”.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se opozita ka depozituar akuza edhe ndaj Dumanit, por sipas tij “asnjë prej tyre nuk është marrë në shqyrtim”. “Ne kemi dërguar kallëzime edhe ndaj tij, por janë refuzuar. Nuk mund të hetohet ai. Ai është mbi ligjet, mbi Kushtetutën dhe i varur direkt nga Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha përmendi Kreshnik Farrukun, për të cilin kërkoi transparencë nga organet e drejtësisë. “Ai ekziston apo nuk ekziston? Është nga Manza apo jo? Është arrestuar nga Gjykata e Durrësit? Është marrë dosja e tij nga SPAK-u? Ka qenë në Gjykatën e Lartë apo jo? Këto janë pyetje të thjeshta, por askush nuk përgjigjet”, shtoi ai, shkruan A2 CNN.
Berisha e cilësoi këtë rast si shembullin më të qartë të, siç tha ai, “kapjes totale të drejtësisë nga mazhoranca” dhe paralajmëroi se opozita do të vazhdojë denoncimet për “abuzimet dhe selektivitetin politik” të SPAK-ut. (A2 Televizion)
