Dy muaj e pak ditë ka zgjatur drejtimi i Bashkisë së Himarës prej kryetares së komanduar nga Këshilli Bashkiak, Blerina Bala. Kjo e fundit njoftoi nëpërmjet një deklarate dorëheqjen e saj të parevokushme nga posti i kryetares.
Blerina Bala pranoi të merrte drejtimin e bashkisë së Himarës pasi, si kryetari i votuar në zgjedhjet lokale të majit 2023, Fredi Beleri ashtu edhe ai që vijoi detyrën, Jorgo Goro, janë në burg.
I pari i dënuar nga Gjykata e Posaçme për krime zgjedhore dhe i dyti në hetim për shpërdorim detyre për tjetërsim prone. Por me sa duket, saga e ngërçit të drejtimit të bashkisë së Himarës, nuk ka të ndalur.
Zgjedhja e Blerina Balës dhe dëshira e saj për të bashkëpunuar ashtu siç e meriton Himara duket se nuk vajtën si duhet.
Vetëm dy muaj më vonë arsyet personale të kryetares së komanduar nuk e lejuan që të provonte bashkëpunimin që meritonte kjo bashki.
Të paktën ky është motivi i shprehur prej saj në letrën zyrtare të dorëheqjes.
Dhe tani, Këshilli Bashkiak i Himarës pritet të mblidhet sërish, ndoshta me një mbledhje të thirrur jashtë radhe për të shqyrtuar kërkesën e dorëheqjen së parevokushme dhe për të propozuar një emër për drejtim, tashmë nga anëtarët e këshillit bashkiak.
Pasi nënkryetari tjetër i kësaj bashkie, Pjerin Gjikuria, duket se është i përjashtuar nga mundësia e votimit si kryetar i komanduar pasi në mbledhjen e marsit dha dorëheqjen për të qenë kandidat për drejtimin e bashkisë, akt pas së cilit këshilli ia besoi detyrën Blerina Balës.
(A2 Televizion)