Bojkoti i opozitës nuk është argument për mazhorancën që të mos vijojë punën me komisionin e posaçëm antikorrupsion. Nëpërmjet një tjetër projektvendimi, shumica ka propozuar përbërjen e këtij komisioni, duke i dhënë edhe fund dilemës, nëse do ta drejtojë apo jo Fatmir Xhafaj.
“Xhaketa e vjetër” socialiste që udhëhoqi Reformën në Drejtësi 8 vite më parë, është përzgjedhur nga Edi Rama për të qenë në krye të kësaj strukture së bashku me Klotilda Bushkën, Eduard Shalsin, Etilda Gjonajn, Evis Kushin e Toni Gogun.
Me këtë propozim, mazhoranca ka shkuar një hap më tej, duke futur në përbërje të saj edhe demokratët, pavarësisht votës së tyre kundër.
Vendimi për ngritjen e kësaj sturkture të posaçme parlamentare parashikonte se në përbërje të tij do të ishin kryetarë dhe zëvendëskryetarë të komisioneve kryesore parlamentare e për rrjedhojë, në vendimin që do të votohet të enjten në Parlament janë edhe demokratët Dhurata Çupi si zëvendëskryetare e Komisionit të Ligjeve, Jorida Tabaku si Kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane, Sorina Kote si zëvendëskryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Por, edhe në rast të refuzimit, socialistët duket se i shtrinë dorën demokratëve të Lulzim Bashës, ku mes emrave të opozitës ka futur edhe Flutura Açkën, Kryetare e Komisionit për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Seanca plenare të enjtes do të qartësojë edhe më shumë idetë nëse Basha do të pranojë të bëhet pjesë e këtij komisioni, pasi demokratët e tjerë janë me ide të qarta për protestë.
(A2 Televizion)