Efektivi dhunoi kamerierin për një shishe ujë, reagon edhe Kryeministri Rama: T’i dorëzohet drejtësisë sapo të dalë nga spitali

Nga A2 CNN
27 Korrik 2025, 16:11 | Politikë

Kryeministri Edi Rama kërkoi që efektivi i policisë që dhunoi një kamerier në Vlorë të shtunën në mbrëmje, të përjashtohet nga radhët e uniformave blu dhe të ndiqet nga drejtësia, raporton A2 CNN.

“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali”, shkroi Rama në një reagim në “X”.

“Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cenojnë  komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit.

*Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh”.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në ambientet e një hoteli të njohur në lagjen Pavarësia në Vlorë, ku një kamerier i ri është dhunuar nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe nga një person me precedent penal. Lidhur me ngjarjen, përmes një njoftimi Policia ka informuar se oficeri i Policisë, më herët ish-Shefi i Rrugores së Vlorës, i cili dhunoi kamerierin 18-vjeçar, është shtetasi Ardian Isufi, shkruan A2 CNN.

Në njoftimin bëhet me dije po ashtu se Isufi është pezulluar nga detyra dhe momentalisht ndodhet në spital. Kjo pasi pronari i barit, kur ka parë skenën dhe faktin që kamerieri i tij është dhunuar, ka ndërhyrë duke e rrahur oficerin e Policisë.

Në dëshminë e tij, 18-vjeçari i dhunuar tregoi se konflikti nisi për një shishe uji, teksa ai po shërbente si gjithmonë. Sipas tij, Oficeri i Policisë, së bashku me një tjetër person, e dhunuan pa ndonjë arsye të fortë. Ai tregoi se u godit me grushte e shpulla në fytyrë dhe qafë, teksa shtoi se i pranishëm në vendngjarje ishte edhe menaxheri i lokalit.

“Erdhën dy zotërinj u ulën në tavolinë, porosinë e mori dikush tjetër dhe thjesht më thanë çfarë duhet të çoja. Porosia ishte një shishe ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato. Nuk e donte njërin ujë. Më tha hiqe ujin dhe i thash ok, vetëm mos shaj e ofendo, sepse edhe ai tjetri pa dashje e ka bërë. Vijnë të dy burrat nga 40 vjeç e sipër më ndoqën deri në banak. I thash të lutem mos kap me dorë. Ishte edhe menaxheri. Më goditi një herë me shpullë dhe dy herë me grushte. Për një bidon ujë godet tjetri, në fytyrë dhe qafë. Më hodhi edhe syzet mirë që nuk mi theu. Sapo i kam mbushur 18-vjeç”, tha kamerieri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos