“Berisha bashkoi PD-në”- Kuçana: I dha frymëmarrje partisë kur po shkrihej! Ja skenarët për largimin e Ramës

Nga A2 CNN
27 Korrik 2025, 11:32 | Politikë

Zyrtarja e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me situatën aktuale politike në vend dhe brenda vetë PD-së.

E ftuar në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ajo tha se partia duhet të jetë më aktive në terren dhe të ofrojë zgjidhje jo vetëm për demokratët, por edhe për qytetarët që kanë votuar Edi Ramën, të cilët sipas saj, tashmë po ndjejnë zhgënjim.

"PD duhet të mendojë disa skenarë. Duhet të jetë në terren dhe në seli, për të parë zgjidhjen, jo për 500 mijë demokratë, por edhe për ata që kanë votuar Edi Ramën", deklaroi Kuçana.

Ajo kritikoi mënyrën si ka nisur mandati i katërt i kryeministrit Rama, duke e cilësuar si të mbushur me arrogancë dhe shembje arbitrare, përfshirë ndërhyrjet në banesa dhe zona turistike.

"Sot Edi Rama shkon, u prish shtëpitë, u prish tendat, shkon atje në Theth... Ka filluar arroganca e mandatit të katërt. Edhe ata që e kanë votuar, e kanë kuptuar që...", tha ajo, duke nënkuptuar një rritje të pakënaqësisë edhe brenda elektoratit të majtë.

Në lidhje me zhvillimet brenda PD-së, Kuçana theksoi se shumë figura duhet të largohen për t’i hapur rrugë ndryshimeve, por përjashtoi Sali Berishën nga kjo listë.

"Në PD shumë njerëz duhet të bëjnë një hap pas. Por jo ai që mendon ti, Flogert. Mendoj se Berisha nuk duhet të iki. Është i vetmi që denoncon, që ka qenë në të gjithë Shqipërinë, që e bashkoi PD-në", u shpreh Kuçana.

Ajo tha se është pjesë e Rithemelimit që prej fillimit dhe se besimi te Sali Berisha është arsye pse vijon angazhimin në politikë. Sipas saj, Berisha i dha frymëmarrje partisë në një kohë kur ajo rrezikonte të zhdukej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos