Andi Mustafaj, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se do të çojë para Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike propozimin për një ridimensionim të partisë.
Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit tha: “Po diskutohet dhe do e çoj para Këshillit Kombëtar. Në shtator besoj se do e prezantoj”.
“Aktualisht, PD-ja është e angazhuar në dokumentimin e farsës zgjedhore. Po nxjerrim çdo ditë fakte të rëndësishme”, tha Mustafaj.
“Në histori shpesh fitojnë autokratët. Detyra e opozitës është nxjerrja e të gjithë skandaleve dhe po bëjmë detyrën tonë politike. Sa i përket fushatës, historia do e tregojë se fushata pozitive ishte zgjedhja e duhur. Se çfarë mund të bënin më mirë strukturat, nuk mund të vlerësohet nën efektin e emocionit. Duhet qetësi dhe çdo gjë analizë duhet bërë në kohën e vet”, shtoi Mustafaj në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Kur u pyet nëse ka autokraci edhe në drejtimin e opozitës, Mustafaj u përgjigj: “Pjesa më e rëndë është autokracia në ushtrimin e pushtetit. Nuk i shpëtojmë dot autokracisë shtetërore, ndërsa autokracisë partiake, nëse ka, i shpëton. Nëse pranojmë që në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje, por pavarësisht kësaj kërkohet dorëheqja e kupolës drejtuese të PD-së, kjo do ishte padrejtësi e madhe”.
Në lidhje me impaktin e LaCivita në fushatën e demokratëve, Mustafaj deklaroi: “Zgjedhjet nuk u fituan, por ka pasur ndikim pozitiv në ligjërimin e PD-së. Unë jam shumë krenar që kam qenë zëdhënës i një fushate pozitive. Bëmë fushatë mbi konceptin e përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe kjo është pozitive për politikën shqiptare.
(A2 Televizion)